Kurti tregon për takimet në Britani: Vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit - NACIONALE

Kurti tregon për takimet në Britani: Vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij dy ditore në Britani të Madhe.

Ai ka bërë me dije se kjo është vizita e tij e dytë brenda gjashtë muajve në këtë shtet.

Në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar është partnere strategjik e Kosovës.

“Vizitën zyrtare në Londër e fillova me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit. Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shumanshme dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin. E cilësova Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe ritheksova angazhimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh”, ka shkruar ai, duke treguar për takimet tjera.

“U takova gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderova për mbështetjen e konsiderueshme financiare për zhvillimin e Kosovës. Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik. Vizita vijoi me pjesëmarrjen në një panel të organizuar nga think tank-u ODI Global, ku, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Sara Pantuliano dhe Dora Meredith, si dhe me analistin e mirënjohur ekonomik Martin Ëolf nga Financial Times, diskutuam mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global. Në mbrëmje, mora pjesë në një darkë të shtruar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku diskutuam bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështje më të gjera të sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të ngjashme