Kurti thotë se 70 mijë veta u punësuan gjatë mandatit të tij
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka një merak për të cituar statistika. Shpesh ai është kritikuar se përmes interpretimeve i dredhon statistikat.
Edhe sot Kurti dha një statistikë gjatë vizitës në te aksi i rrugës Kijevë-Dollc.
Në një deklarim për medie, Kurti tha se gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, punësimi është rritur për 20 për qind.
“Mos harroni që kur kemi ardhur në qeverisje para tri vjetëve, në Kosovë kanë qenë 350 mijë të punësuar. Ndërkaq, sot që po flasim janë rreth 420 mijë, që do të thotë se punësimi është rritur rreth 20 për qind. Dhe i gjithë ky punësim është rritur në sektorin privat, e jo në sektorin publik. Pra, në sektorin privat ne e kemi shtuar punësimin, ne nuk jemi qeveri që i lëmë njerëzit pa punë, përkundrazi, jemi qeveri e cila është infrastrukturë për rritjen e ekonomisë që punëson më shumë njerëz”, ka thënë Kurti.