Kurti sulmon komunat për projektin që e premtoi brenda mandatit të parë: Vetëm 13 nga 38 aplikuan
Kryeministri në largim, Albin Kurti ka sulmuar komunat për një projekt që sapo ka nisur së zbatuari, ani se e kishte premtuar brenda mandatit të parë.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se vetëm 13 nga 38 komuna kanë aplikuar për projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social.
“Pothuajse trefish më e ulët është kërkesa e komunave sesa oferta e qeverisë. Vetëm 13 komuna nga 38 gjithsej kanë aplikuar për projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social, përkundër mundësisë që po ofrojmë dhe nevojave të çifteve të reja dhe prindërve vetushqyes anekënd vendit” – ka shkruar ai.
Theksojmë se para më shumë se katër viteve, Kurti premtonte se “gjatë mandatit të parë, do t’ua mundojë banimin e përballueshëm 4 mijë familjareve”.
"Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit."