Kurti shkruan për lojëra tradicionale në Bogë të Rugovës, asnjë fjalë për “Sunny Hill Festival”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka çelur gojën për “Sunny Hill Festival”.
Festivali i madh që solli mijëra turistë në Kosovë, e që ishte top-lajm në mediat ndërkombëtare.
Në vend të kësaj, Kurti bëri pak muhabet për lojëra tradicionale në Bogë të Rugovës.
Postimi:
Në fshatin Bogë të Rugovës, dje na bënë bashkë Lojërat Tradicionale “Rugova 2025”.
Pjesëmarrës nga vendi e rajoni garuan në disiplina si rrëzimi i duarve, hedhja e llastarit, hedhja e gurapeshit, tërheqja e litarit, e ngjitja në shilor. Në këto lojëra shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, dhe bashkohen gjeneratat për të përcjellë vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës. Aty nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta. Ato janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë.
E që të mund t’i vizitojmë më shpesh e më lehtë bjeshkët e lashta e të bukura, do ta rindërtojmë rrugën Pejë-Kuqishtë, për çka tashmë e kemi filluar studimin e fizibilitetit. Vlera e gjithmbarshme pritet të jetë rreth 15 milionë euro, varësisht nga përfundimet e nxjerra nga studimi, ndërkohë që sanimi i kësaj rruge ka filluar para tre muajve dhe do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro. Po investojmë sepse e dimë vlerën e madhe natyrore, kulturore, shpirtërore, kombëtare e shtetërore që kanë Bjeshkët e Rugovës.