Kurti përkujton masakrën e Vushtrrisë: Krimet e kryera nga Serbia në Kosovë s`mund të fshehen e as fshihen - NACIONALE

Kurti përkujton masakrën e Vushtrrisë: Krimet e kryera nga Serbia në Kosovë s`mund të fshehen e as fshihen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët e masakrës së Vushtrrisë.

Ai ka bërë me dije se më 22 maj 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë dhe masakruan mizorisht 68 civilë shqiptarë në Vushtrri.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë nuk mund të fshihen.

Bukuria i kishte 16 pranvera. Më 26 gusht 1999 do të mbushte 17 vjet. Sot janë bërë 25 vite prej zhdukjes së saj. Më 22 maj 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë dhe masakruan mizorisht 68 civilë shqiptarë në Vushtrri. Pas ekzekutimit, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit, trupat e pajetë i dërguan në Serbi. Eshtrat e 67 shqiptarëve të vrarë në këtë masakër u gjetën në Batajnicë të Beogradit. Nuk u gjetë Bukuria”, ka shkruar Kurti.

Më tej, ai ka treguar se si është tentuar që të zhduken gjurmët e këtij krimi.

Në Batajnicë afër Beogradit janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve nga Kosova. Aty zhvillohen parada ushtarake të Serbisë pa asnjë pllakë apo shenjë tjetër përkujtimore që tregon se ka pasur një varrezë masive. Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë nuk mund të fshehen e as fshihen. Këto krime nuk mund të mbeten të pazbardhura e kriminelët të pandëshkuar”, ka shkruar Kurti.

Lajme të ngjashme