Kurti për Asociacionin: S’ka kuptim të më pyesni mua më shumë, isha i gatshëm për nënshkrim
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka folur në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në fakt, ai tha se ishte i gatshëm të nënshkruante dokumentet, përfshirë draft-statutin e Asociacionit.
Në fjalën e tij, Kurti deklaroi se pala serbe refuzoi të nënshkruante marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke e cilësuar palën serbe si “jo serioze”.
“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja. Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por, ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia – marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia. Ishte një shansë i madh. Ata që në Bashkimin Evropian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pat shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë? Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz. Po ku ka më serioz sesa të thuash eja e nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan.” – tha ai.