Kurti: Pas sakrificës së familjes Jashari lufta në Kosovë mori tjetër karakter, u rrit mobilizimi njerëzor
Për nder të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur një mbledhje solemne.
Në adresimin e tij para ministrave, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari.
Ai ka vlerësuar se përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe bashkimin popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më tronditëse të historisë sonë bashkëkohore, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz, me 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie aq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për tre ditë e tre net rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone, një shteti policor e okupator. Ani se familja Jashari ishte rrethuar shumëfish nga mijëra forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka treguar për efektin e sakrificës së kësaj familje.
“Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë: liria. Sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje e bën të pavdekshme vendimi i ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar. Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga kryekomandanti Adem Jashari. Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja. Më 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pandërprerë. Ishte një qëndresë e organizuar, e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore. Pas atyre tri ditëve, lufta në Kosovë mori tjetër karakter. U rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.