Kurti nderon 280 martirët nga Verboci: Serbia i ka borxh të pamatshëm Kosovës
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka bërë homazhe për 280 martirët e Verbocit dhe fshatrave përreth, si dhe për 42 dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës.
Duke folur para mediave, Kurti tha se ka lëvizje në ndjekjen e kriminelëve serbë dhe në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, por kërkoi ritëm më të shpejtë nga institucionet e drejtësisë.
“Po arrestohen, ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime edhe sa i përket zbardhjes së të pagjeturve, të zhdukur me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet të bëhet më shumë nga Prokuroria dhe Gjyqësorët, duhet të veprohet më shpejt, për shkak se njëmend dëshmitë materiale janë këtu, por në anën tjetër dëshmitarët po plaken”, tha Kurti.
Kryeministri në dorëheqje shtoi se Serbia ka një borxh të pamatshëm ndaj Kosovës, ndërsa tha se shteti duhet të vazhdojë të qëndrojë fort në mbrojtje të kufijve, territorit dhe qytetarëve të tij.
“Serbia na ka pamatshëm borxh, dhe me forcimin e shtetit tonë në njërën anë, dhe mbrojtjes së kufijve e të territorit në anën tjetër, ne i dalim zot popullit e shtetit”.