Kurti mohon se ka një propozim franko-gjerman për marrëveshje me Serbinë: Ka iniciativë që fuqizon edhe më shumë Lajçakun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se ka pranuar që ka diskutime konkrete në tavolinën e negociatave me Serbinë por ka mohuar se ka një propozim konkret.
Kurti thjesht ka shprehur atë që dihet, se ka një iniciativë që fuqizon rolin e ndërmjetësit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakut.
“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotërit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet,” – u shpreh z. Kurti.
Kryeminsitri këto komente i bëri gjatë një vizite në Gjilan.
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka deklaruar se ekziston një propozim konkret franko-gjerman.
“Ajo çfarë ka thënë presidenti Vuçiq rreth ulëses në OKB nuk është e vërtetë sepse propozimi është i hartuar me qëllim krejt tjetër, nuk ka pika 1 2 3 4 5,” - deklaroi Gërvalla për Klan Kosovën
Kujtojmë se Gjermania dhe Franca kanë emëruar emisarët e tyre për dialogun Kosovë-Serbi, gjë që ishte parë edhe si një ridinamizim i këtij procesi.