Kurti mëngjes pune me Sarrazin e Rohde
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për një mëngjes pune sot me emisarin gjerman, Manuel Sarrazin.
I pranishëm, në takim ka qenë edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
“Progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin, ishin temë e diskutimit. Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti tutje ka falenderuar emisarin Sarrazin për kontributin e tij.
“Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm.” – shkruan mes tjerash.
Ndryshe, emisari gjerman u takua sot edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.