Kurti vizitoi foshnjat e para të 2025-ës: Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia pas mesnatës vizituan të dy foshnjat e para të 2025-ës që erdhën në jetë pas ndërrimit të motmotit.
Kurti ka publikuar fotografi nga vizita e tij teksa ka lavdëruar punën e qeverisë së tij.
“Menjëherë pas mesnatës iu bashkuam gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve. Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”.
“Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tonë” – ka thënë ai.