Kurti: Kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, ndër dyert e hapura për shpëtim ishin ato të shtëpive shqiptare
Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Holokaustit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndër të tjera, Kurti shkroi se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur antisemitizmi ishte në kulmin e tij dhe hebrenjtë vuajtën nga një përsekutim i tmerrshëm, "ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare",
"Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët." - shkroi Kurti ndër të tjera.