Kurti kujton Ukshin Hotin: Zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” - NACIONALE

Kurti kujton Ukshin Hotin: Zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin pjesë e projektit serb “Patkoi”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar atdhetarin dhe intelektualin Ukshin Hoti.

Në 24 vjetorin e zhdukjes së Hotit, kryeministri ka thënë zhdukja e tij ishte krim i pazbardhur i Serbisë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve.

Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk. Zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila është miratuar në Bruksel më 2 maj.

Sipas tij, me këtë deklaratë Serbia ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës.

Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka shkruar Kurti.

Lajme të ngjashme