Kurti: Kërkesa e Prokurorisë së Hagës, jashtë çdo standardi ndërkombëtar – injoron kontekstin e luftës
Kryeministri në detyrë Albin Kurt, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një shkrimi në Facebook, kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë kërkesë si të pabazuar në standardet ndërkombëtare dhe si një përpjekje për ta gjykuar luftën jashtë realitetit të saj historik.
Kurti shkroi se lufta e UÇK-së ishte një domosdoshmëri për mbijetesë përballë një regjimi që po zbatonte politika shfarosëse.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror,” shkruan Kurti.
Kurti ka ngritur shqetësimin se ndarja e veprimeve individuale nga konteksti i gjerë politik dhe historik, rrezikon të deformojë të vërtetën.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte. Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve,” shkroi ai më tej.
Duke u ndalur specifikisht te pretenca e Prokurorisë për dënimet drakoniane ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Kurti tha se ky proces po tenton të krijojë një realitet artificial juridik.
“Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.”