Kurti: Jemi të interesuar ta formojmë sa më shpejt Qeverinë dhe ta miratojmë buxhetin
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka shprehu gatishmërinë e subjektit të tij për të formuar institucionet e reja qendrore pa humbur kohë, sapo të përmbyllet procesi formal nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një intervistë për agjencinë KosovaPress, Kurti deklaroi se hapi i parë pas certifikimit të rezultateve do të jetë konstituimi i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit dhe zgjedhja e organeve drejtuese të tij, për t'i hapur rrugë votimit të kabinetit të ri qeveritar.
“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, thotë Kurti.