Kurti: Gratë në pushtet, që nuk i mbështesin gratë e tjera, më vjen keq ta them por s’janë të angazhuara për barazi
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e IV e Këshillit, organit më të lartë të strukturës së GVV-së. Ku sipas tij pati shumë diskutime për më shumë politika që mbështesin gratë e vajzat.
Kurti ndau fjalimin e plotë në Facebook, por ajo që bie në sy, është kritika që Kurti drejtoi kundrejt grave që janë në pushtet. Nuk dihet nëse Kurti për këtë kritikë u inspirua konkretisht nga ndonjëra nga gratë me pushtet në Kosovë, apo veç e përmendi shkarazi.
Pjesë e fjalimit
Gratë në pushtet, që nuk i mbështesin gratë e tjera, më vjen keq ta them, por nuk janë të angazhuara për barazi të vërtetë. Nëse ato e pranojnë strukturën aktuale të shoqërisë pa vënë në pyetje padrejtësitë e saj, atëherë, siç thotë filozofja Simone de Beauvoir: “ato nuk luftojnë për t’i dhënë fund pabarazisë, por për të qenë në krye të saj.”
Por, ta bëjmë të qartë – problemi nuk qëndron te gratë në pushtet si individë. Nuk është fjala për të hedhur fajin mbi njëra-tjetrën. Përkundrazi, është një thirrje për të shtuar vatrat e solidaritetit gjinor. Është një thirrje për bashkëpunim, për t'u mbështetur te njëra- tjetra kur konkurrenca ashpërsohet, sidomos në kohë zgjedhjesh. Për të qenë bashkë në një front të fortë solidariteti për të sjellë barazinë për të gjithë. Kushti i konkurrencës konstruktive është bashkëpunimi përmbajtësor. Kur gratë solidarizohen, fitojmë që të gjithë. Aktivizmi i grave shqiptare e dyfishon shoqërinë dhe kombin tonë. Kur grate ngrihen, e gjithë shoqëria dhe mbarë kombi ngrihet me to.
Ju falemnderit e punë të mbarë.