Kurti bën homazhe te varri i dëshmorit Selim Berisha: “E kam njohur edhe personalisht” - NACIONALE

Kurti bën homazhe te varri i dëshmorit Selim Berisha: “E kam njohur edhe personalisht”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Drenoc të Prishtinës, Kryeministri në mandatin teknik, Albin Kurti, kreu homazhe te varri i dëshmorit, Selim Berisha – njoftoi ai vet në Facebook.

Kurti rikujtoi se e ka njohur edhe personalisht kur Berisha kishte qenë në zyre të UÇK-së në Prishtinë që drejtohej nga Adem Demaçi.

Postimi i plotë:

Sot në përvjetorin e rënies së dëshmorit Selim Berisha, bëmë homazhe duke vendosur lule te varri i tij në fshatin Drenoc të Prishtinës. Selim Berisha u vra nga forcat serbe më 20 mars 1999, pasi kishte rezistuar i armatosur në shtëpinë e tij duke rënë dëshmor pas një qëndrese vërtetë heroike.

Historinë e Selim Berishës, e kam lexuar fillimisht në disa artikuj kurse ata që e kanë patur mësues të historisë në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, rrëfejnë që Profesori Selim e shpjegonte lëndën e historisë gjithmonë në frymë kombëtare.

Ai frymëzohej e trimërohej pikërisht nga historia jonë e lavdishme, ashtu që sa herë që qëllonte të vinte policia serbe në shkollë, ai dilte i pari para policëve për t’i mbrojtur nxënësit e tij. Selim Berisha ka ardhur edhe në zyre të UÇK-së në Prishtinë te Bacë Adem Demaçi dhe e kam njohur edhe personalisht.

Lavdi dëshmorit Selim Berisha dhe veprës së tij patriotike si mësues historie dhe si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lajme të ngjashme