Kryeziu: Shpresoj që të gjendet edhe një gjyqtar me integritet për manipuluesit e votave në Prizren
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka lavdëruar aksionin e djeshme të Prokurorisë Themelore në Prizren për kapjen e manipuluesve të votave.
Ai ka bërë me dije se arrestimi i komisionereve përbën një dallim të qartë nga praktikat e së kaluarës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shprehur shpresën e tij që në këtë rast të gjendet edhe një gjyqtar i guximshëm.
“Ajo që po ndodh sot me arrestimin e komisonerve që manipuluan votat për kandidatë, përbën një dallim të qartë nga praktikat e së kaluarës. Ky ndryshim, të paktën në këtë rast, nuk duket të jetë ende sistemik, por individual dhe i lidhur drejtpërdrejt me integritetin profesional dhe guximin institucional të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, i cili po bëhet shembull i funksionimit të drejtë të institucionit të prokurorisë. Shpresoj që, përveç prokurorisë, të gjendet edhe një gjyqtar me integritet dhe guxim të krahasueshëm me atë të Petritit, në mënyrë që sektori i drejtësisë të garantojë realisht sundimin e ligjit dhe vlerat demokratike, siç është akti themelor i çdo shoqërie demokratike: zgjedhjet e lira dhe të drejta”, ka shkruar Kryeziu.