Kryeziu: Kryeministri duhet të ftojë një tryezë me liderët e partive opozitare
Drejtori i Institut Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka kërkuar nga kryeministri që të ftojë një tryezë me liderët e partive opozitare për të diskutuar rreth procesit të dialogut me Serbinë.
Ai ka bërë me dije se kjo tryezë do të ndikonte në rritjen e transparencës në këtë proces.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se gjatë raportimit të kryeministrit në Kuvend nuk do të mund të jepen detaje.
“Kryeministri duhet të ftojë një tryezë me liderët e partive opozitare!? Të Premtën në një seancë të veçantë të ftuar nga opozita, kryeministri do të raportojë para deputetëve dhe publikut, rreth pajtueshmërisë së tij për të nënshkruar marrëveshjen, përfshirë dhe bërjen publike të draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga BE-ja. Por, marrë parasysh kërkesat e ndërmjetësuese të dialogut për kujdes dhe mbajtje larg publikut të këtij dokumenti, kryeministri mund të vazhdojë të jetë jo transparent dhe të shmangë llogaridhënien duke u ndalur tek një raportim i cili do të nxisë dhe shndërrojë seancën e nesërme të Kuvendit në një debat tjetër me fyrje, akuza e kundër akuza, jopërmbajtësor. Prandaj, nëse BE dhe akterët tjerë në dialog, përfshirë kryeministrin e Kosovës, s’janë të gatshëm të promovojnë transparencë dhe llogaridhënie për marrëveshjen e 26 tetorit dhe draft-statutin e propozuar, kryeministri i Kosovës mund dhe do të duhej ti hap një derë këtij procesi, duke ftuar një takim me liderët e opozitës për t'i informuar dhe ofruar draft-statutin e propozuar nga BE-ja”, ka shkruar Kryeziu.