Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë kundërshton vettingun për gjyqtarët - NACIONALE

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë kundërshton vettingun për gjyqtarët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka dalë kundër procesit të vettingut për gjyqtarët.

Ajo ka thënë se ky proces do të dëmtonte dhe do të mbingarkonte institucionin të cilin e drejton ajo.

Nuk jam pro vettingut për shkak se konsideroj se do t’i bënte vetëm më shumë dëm, flas për gjykatën time, sepse vettingu është një proces i cili merr kohë dhe konsideroj se do t’i bëhet vetëm dëm dhe do të shtojë më shumë grumbullim të lëndëve. Në anën tjetër, në gjykatën tonë mbi 90% janë gjyqtarë të rinj të cilët nuk kanë as 5 vjet përvojë pune, të gjithë kanë kaluar nëpër procese të verifikimit dhe procese të ndryshme”, ka thënë ajo në një intervistë për “Kosovapress”.

Sipas saj, rezultatet e kësaj gjykate do të rriteshin vetëm me shtimin e kapaciteteve njerëzore.

Nuk e konsideroj të nevojshme, unë konsideroj që më e nevojshme është fakti që të ndihmohet gjykata, të ngrihen kapacitetet e kësaj gjykate dhe pastaj t’i shohim rezultatet. Sa i përket pjesës tjetër, për kryetarë dhe anëtarë të Këshillit, për mua është në rregull, nuk kam ndonjë koment, nëse ashtu e parasheh dhe e ka propozuar qeveria dhe ligjvënësi e voton, në rregull është, konsideroj se pjesa jonë nuk bënë shumë pengesë në gjykim, por për gjyqtarët është proces i rrezikshëm nëse i hyjmë asaj pjese sepse kemi për t’i bërë dëm më së shumti qytetarit”, është shprehur Shabani-Rama.

Lajme të ngjashme