Kryetari Totaj në “AI & US Conference 2025”: “Po ndërtojmë themelet për një Prizren inovativ dhe të digjitalizuar”
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, mori pjesë si folës dhe panelist në konferencën ndërkombëtare “AI & US Conference 2025”, ku përfaqësues nga Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës diskutuan mbi temën “AI in Government – Building Kosovo’s AI Future”.
Në fjalën e tij, Kryetari Totaj ndau përvojën e Prizrenit në procesin e transformimit digjital dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në qeverisjen lokale, duke theksuar rëndësinë e inovacionit si mjet për zhvillim dhe transparencë.
“Në Prizren besojmë se teknologjia duhet të jetë mjet për transparencë, efikasitet dhe zhvillim të qëndrueshëm. Inteligjenca artificiale nuk është vetëm e ardhmja – ajo është tashmë pjesë e së tashmes sonë dhe ne po ndërtojmë themele për ta bërë atë pjesë të përditshme të qeverisjes lokale" - theksoi Totaj.
Ai shtoi se përmes investimeve në infrastrukturë digjitale dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, Komuna e Prizrenit synon të krijojë model të qeverisjes moderne dhe të hapur ndaj qytetarëve.
“Po ndërtojmë themele për një qytet ku inovacioni i shërben qytetarit dhe ku brezat e rinj gjejnë hapësirë për të krijuar, mësuar dhe udhëhequr. Kjo është rruga që po ndjekim për ta bërë Prizrenin shembull të suksesit digjital në nivel vendi" - u shpreh ai.
Konferenca “AI & US Conference 2025” bashkoi ekspertë të fushës së teknologjisë, përfaqësues të institucioneve publike dhe partnerë ndërkombëtarë për t'i diskutuar mënyrat se si inteligjenca artificiale mund të integrohet në shërbimet publike dhe qeverisjen efikase.