Haradinaj takohet me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malajn: Më të fortë së bashku
Në Facebook, kreu i AAK-së tha se Kosova dhe Shqipëria janë më të forta kur veprojnë së bashku, në mbrojtje të interesit kombëtar, në rrugën tonë drejt integrimeve dhe në garantimin e paqes e stabilitetit në rajon.
E plotë:
“Në takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike.
Ambasadorin Malaj e falënderova për kontributin e jashtëzakonshëm të tij dhe të Shqipërisë për Kosovën dhe kërkova mbështetjen e mëtutjeshme në proceset që i kemi përpara.
Kosova dhe Shqipëria janë më të forta kur veprojnë së bashku, në mbrojtje të interesit kombëtar, në rrugën tonë drejt integrimeve dhe në garantimin e paqes e stabilitetit në rajon.” – shkruan aty.