Kryediplomatja shqiptare pritet nga Zelensky: Jemi krenarë ta konsiderojmë veten miqtë tuaj
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka falënderuar Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së saj dhe ka vlerësuar fuqinë dhe shembullin frymëzues të popullit ukrainas.
“Faleminderit i dashur mik i Shqipërisë, Presidenti Zelensky, për pritjen e ngrohtë dhe për forcën e shembullit frymëzues që ju dhe populli ukrainas i keni dëshmuar botës në këto vite aspak të lehtë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Ajo citoi shkrimtarën e njohur ukrainase, Lesya Ukrainka: “Ai që nuk ka jetuar në mes të stuhisë nuk e di vlerën e forcës”. Ministrja theksoi se forca nuk ndërtohet vetëm me armë, por përmes vlerave, solidaritetit, dinjitetit dhe partneriteteve.
“Ne jemi krenarë ta konsiderojmë veten miqtë tuaj, partnerët dhe ndër mbështetësit tuaj më të mëdhenj përballë kësaj stuhie të pamerituar”, përfundoi Spiropali.