Kryediplomati ukrainas thotë se e paralajmëroi homologun iranian kundër përshkallëzimit - NACIONALE

Kryediplomati ukrainas thotë se e paralajmëroi homologun iranian kundër përshkallëzimit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha të martën se e telefonoi homologun iranian, Abbas Araqchi, pasi Irani dënoi një sulm ukrainas me dron ndaj njërës prej anijeve iraniane, e paralajmëroi kundër përshkalëlzimit dhe i tha që t’i japë fund mbështetjes për Rusinë.

“Unë e theksova nevojën për t’u përmbajtur nga çfarëdo hapi përshkallëzues si dhe t’i jepet fund çfarëdo përkrahjeje për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Kjo luftë është e paligjshme dhe duhet të përfundojë” – shkroi Sybiha në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Araqchi konfirmoi në rrjetin X se ishte siguruar nga Sybiha se sulmi ndaj anijes iraniane ishte i paqëllimshëm dhe se Kievi nuk kërkon përshkallëzim.

“As Irani nuk kërkon përshkallëzim, por bëri të qartë se çfarëdo sulmi ndaj qytetarëve tanë ose interesave tona është i papranueshëm. Duhet të ketë dëmshpërblim për humbjet” – tha kryediplomati iranian.

Araqchi kishte thënë të dielën se sulmi ukrainas ndaj anijes tregtare iraniane në Detin Kaspik, ku u vra një detar dhe një tjetër u lëndua, nuk mund të mbetej pa përgjigje.

Sybiha tha se veprimet e Ukrainës “e kishin për qëllim vetëm mbrojtjen e vendit tonë nga agresioni rus dhe asnjëherë të shënjestroheshin anije civile apo njerëz”.

Lajme të ngjashme