Kryediplomati izraelit pas miratimit të rezolutës për Gazën në OKB: S’do të bëjmë armëpushim
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se vendi i tij “nuk do të bëjë armëpushim”, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë me të cilën kërkohen armëpushim i menjëhershëm për muajin e Ramazanit dhe lirimi i pakushtëzuar i pengjeve si dhe përmendet “nevoja urgjente për ta shtuar rrjedhjen” e ndihmave në Gaza.
“Izraeli do ta shkatërrojë Hamasin dhe do të vazhdojë që të luftojë derisa edhe pengu i fundit të kthehet në shtëpi” – shkroi ministry Katz të hënën në rrjetin X.
מדינת ישראל לא תנצור את האש. נשמיד את חמאס ונמשיך להילחם עד שאחרון החטופים ישוב הביתה.
— ישראל כ”ץ Israel Katz (@Israel_katz) March 25, 2024
Miratimi i kësaj rezolute u mundësua nga zbutja e pozicionit të Shteteve të Bashkuara, të cilat nuk e shfrytëzuan të drejtën e vetos për ta bllokuar rezolutën, siç kishin vepruar disa herë në votimet e kaluara në OKB gjatë luftës Izrael – Hamas.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e anuloi vizitën e planifikuar të një delegacioni në Uashington këtë javë si shenjë e pakënaqësisë ndaj vendimit të ShBA-së për të abstenuar në OKB. Këtë veprim ai e cilësoi si “tërheqje e qartë” nga pozicioni i mëparshëm amerikan.