Kryediplomati i Letonisë thotë se komentet e Trumpit tregojnë që Evropa duhet të shpenzojë më shumë në mbrojtje
Komentet e qarta të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për NATO-n tregojnë se evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, por ata prapë do të kenë nevojë për aleancën ushtarake, tha ministri i Jashtëm i Letonisë, Krisjanis Karins.
Trumpi nxiti kritika të ashpra nga zyrtarë të lartë perëndimorë, pasi tha se, kur ishte president i ShBA-së, i kishte thënë një udhëheqësi, pa ia përmendur emrin, se nuk do t’i mbronte shtetet që do të dështonin t’i plotësonin kriteret e NATO-s për shpenzime në fushën e mbrojtjes dhe madje do ta inkurajonte Rusinë për t’i sulmuar ato, raporton agjencia “Reuters”.
Karinsi, ish-kryeministër i Letonisë, i lindur e i rritur në ShBA, tha në një intervistë me agjencinë “Reuters” se komentet e Trumpit javën e kaluar ishin “të mprehta në mënyrë të papritur”, por pasqyruan një ndjenjë më të gjerë në ShBA, të cilës Evropa duhet t’i kushtojë vëmendje.
“Shumë presidentë kanë thënë për shumë vjet se në Evropë, ne – duke qenë përgjithësisht shoqëri e pasur – duhet të investojmë më shumë në mbrojtjen tonë” – tha kryediplomati leton në margjina ntë Konferencës së Mynihut për Sigurinë të premten.
“ShBA-ja, mendoj unë, do të jetë më pak e prirë që të ndihet se ajo duhet ta nënshkruajë plotësisht sigurinë evropiane” – shtoi ai.
Sipas tij, një pjesë e reagimit të Evropës duhet të jetë vazhdimi i shpenzimeve më të mëdha në mbrojtje, frymë që është nxitur nga aneksimi i Krimesë së Ukrainës nga Rusia më 2014 dhe fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022.