Kreu i ri i SPAK: Shkon Dumani, vjen Klodiani - NACIONALE

Kreu i ri i SPAK: Shkon Dumani, vjen Klodiani

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Është zgjedhur kreu i ri i SPAK. Anëtarët e KLP-së kanë dëgjuar 4 kandidatët për këtë pozicion: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, shkruanEuronewsalbania.

Në procesin e votimit, u dhanë gjithsej 7 vota për Brahon, 3 vota për Adnan Xholin, 1 votë për Elvin Gokajn, ndërsa pjesa tjetër e votave nuk shkoi për kandidatët e tjerë.

Anëtarët nuk votuan në mënyrë të fshehtë.

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.

Lajme të ngjashme