"Ia konfirmuam edhe ne": Fraksioni i PDK-së në Drenas përkah Bedri Hamzën
Fraksioni i PDK-së në Drenas, “Demokratët për Drenasin”, janë rikthyer në mbështetje të Bedri Hamzës, ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve parlametare.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se uniteti i Partisë Demokratike do ta ngrit Kosovën si një forcë të vetme.
“Uniteti ynë është fuqia jonë më e madhe për një Kosovë ma të fortë dhe një të ardhme ma të mirë, duke e ngritur vendin së bashku si një forcë e vetme. Me Bedri Hamzën Kryeministër!”, ka shkruar Krasniqi.
Nga ana tjetër, nëpërmjet një postimi në Facebook, ish-kandidati për kryetar i Drenasit, Driton Ajazi, konfirmoi mbështetjen e "Demokratëve për Drenasin".
Megjithatë, Ajazi shtoi se qëndrimet e tyre sa "i përket qeverisjes lokale, mbeten të njëjta."
"Duke i kontribuar unitetit dhe duke besuar fuqishëm se Kosova mundet ma mirë me kryeministër Bedri Hamza! Sot, një gjë të tillë ja konfirmuam edhe ne Demokratët për Drenasin, kandidatit per kryeministër z.Bedri Hamza dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës z.Memli Krasniqi. Ndërsa qëndrimet tona sa i përket qeverisjes lokale, mbeten të njëjta tani, edhe pas 9 shkurtit. Ne do të jemi në garë për zgjedhjet lokale." - tha ai.