Krasniqi tregon obsesionin e Rugovës, lidhet me rrugën për në Lezhë
Milazim Krasniqi, profesor universitar, ka shkruar një status, në të cilin ka vlerësuar se dy autostradat e ndërtuara në Kosovës janë të motivuara nga nacionalizmi shqiptar.
Madje, në statusin e tij, Krasniqi ka treguar dy fakte interesante. Njëra lidhet me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, bashkëpunëtor i të cilit ishte Krasniqi për shumë vite gjatë dy dekadave të fundit të shekullit 20-të.
Sipas tij, Rugova e kishte obsession rindërtimin e rrugës Lezhë-Therandë-Vendenis.
“Autostrada Ibrahim Rugova dhe autostrada Arben Xhaferi janë projekte infrastrukturore të motivuara nga nacionalizmi shqiptar, në kuptimin më pozitiv të fjalës. Në emrat e këtyre autostradave ka edhe pak simbolikë.Pse? Teksa pinim kafe në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe evokonim historinë, për të gjetur në të motive për qëndresë kundër okupimit serb, Ibrahim Rugova e kishte obsesion rindërtimin e rrugës Lezhë- Therandë-Vendenis, si pjesë e megarrjetit të rrugëve ilire e romake Tabula Piutengeriane. Ndërsa Arben Xhaferi në biseda e ka pasur lajtmotiv “tendencën historike” shqiptare drejt Perëndimit. Arsyetimi i ndërtimit të këtyre autostradave është ekonomik e atlantik, por esenca mbetet te mendimi intelektual e politik brenda kuadrit historik e gjeokulturor evropian. Bashkimi ekonomik e kulturor i kombit shqiptar, në këtë rast me autostrada të shpejta, duhet ta bëjë atë vizion më të realizueshëm. Por, duhen mendimtarë që e orientojnë kombin, gjë që sot me gjasë po na mungojnë. Ose edhe i kemi dikund, por po i refuzojmë” – ka shkruar Krasniqi.