Krasniqi thotë se politikanët shqiptarë dhe kosovarë nuk e dinë rëndësinë e sigurisë kibernetike
Profesori, Milazim Krasniqi, ka kërkuar nga institucionet kosovare e shqiptare që ta kuptojnë rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe jo të veprojnë më përhapje të informatave me “këngë majekrahu*”, (*formë komunikimi në trevat malore shqiptare)
Reagimi i Krasniqit vjen pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve udhëheqëse të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Me shpresë se gjendja do të sanohet, si fillim, institucionet shtetërore shqiptare duhet ta kuptojnë seriozitetin e kohës në të cilën jetojmë, sepse vërtet nuk jemi më në kohën kur informatat përhapeshin me këngë majekrahu. Fatkeqësisht jo pak politikanë e zyrtarë shqiptarë, në të dyja anët e kufirit, ende jetojnë me atë mendësi, pra, të përhapjes së informatave në stilin e këngës majekrahu.”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Shkrimi i tij i plotë:
Vjedhja e të dhënave të institucioneve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë të Shqipërisë nga agjens armiqësorë, ka shkaktuar një gjendje shoku. Si është e mundur që shteti të mos ketë pasur më shumë siguri kibernetike? Si është e mundur të mos jetë kuptuar që shteti i është ekspozuar një sulmi aq gjithëpërfshirës kibernetik? Pse duhet të bëhen këso pyetjesh? Sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s, prandaj do të duhej të kishte standardet e sigurisë të shteteve anëtare. Mungesa e sigurisë kibernetike të saj mund të rrezikojë edhe raportet e saj me Aleancën e në instancë të fundit edhe sigurinë e vetë Aleancës. Tash jemi në këtë pikë, ku segmente të caktuara të shtetit, në aspektin e sigurisë kiberbetike, janë të falimentuara. Prandaj, edhe mund të priten presione, shantazhe e pasoja. Me shpresë se gjendja do të sanohet, si fillim, institucionet shtetërore shqiptare duhet ta kuptojnë seriozitetin e kohës në të cilën jetojmë, sepse vërtet nuk jemi më në kohën kur informatat përhapeshin me këngë majekrahu. Fatkeqësisht jo pak politikanë e zyrtarë shqiptarë, në të dyja anët e kufirit, ende jetojnë me atë mendësi, pra, të përhapjes së informatave në stilin e këngës majekrahu.