Krasniqi takon Kryesinë e kryetarët e degëve: Për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti i Asociacionit që bie ndesh me Kushtetutën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar anëtarët e Kryesisë së partisë dhe në një takim tjetër, kryetarët e degëve të partisë, ku ka thënë se për PDK-në “është i papranueshëm çfarëdolloj statuti i Asociacionit që bie ndesh me Kushtetutën”.
Sipas njoftimit të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi ka thënë se draft-statuti, krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë dhe se ka kompetenca ekzkekutive.
“Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për draft-statutin e Asociacionit, ku u tha se ky draft krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.”
“Kryetari Krasniqi ripërsëriti qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, krijon një nivel të ri të pushtetit dhe ka kompetenca ekzekutive.” – thuhet në njoftim.
Më tej, në këtë komunikatë, është Krasniqi ka thënë se viti 2023 është vit i humbur për Kosovën, ku ka kritikuar Qeverinë Kurti.
“Kryetari Krasniqi është shprehur se viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën, i cili u karakterizua me degradim në arsim, kolaps në shëndetësi, stagnim ekonomik, shpopullim dhe migrim masiv, diplomaci të dështuar dhe me sanksione nga Bashkimi Evropian, si rezultat i keqqeverisjes dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti.” – bëhet e ditur në njoftim.
“Në fund të këtyre takimeve, Kryetari Memli Krasniqi njoftoi Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së për hapat e ardhshëm të opozitbërjes dhe kërkoi përkushtimin e tyre në implementimin e vizionit të partisë. Kryetari Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për një Qeveri kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila, krahas punës për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, rikthen vendin në kursin e duhur të integrimit euro-atlantik. Kryesia dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për t’u angazhuar në mobilizimin e PDK-së në të gjithë vendin.” – përfundon komunikata e PDK-së.