Krasniqi takohet me të dërguarin special të Gjermanisë: BE të heqë sanksionet ndaj Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës së bashku me nënkryetaren Vlora Çitaku, kanë pritur në takim të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Krasniqi ndër të tjera ka shkruar për papërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës, si dhe për nevojën për t’u hequr sanksionet e vendosura nga ana e BE-së.
Kjo, sepse të dëmtuar sipas Krasniqit po mbesin qytetarët e vendit.
E plotë:
Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, prita sot të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Zhvillimet politike në vend dhe rajon ishin tema të diskutimit tonë, për të cilat shkëmbyem qëndrimet tona. Për PDK-në, përtej papërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet ndaj Kosovës, nga të cilat po vuajnë më së shumti qytetarët tanë.
PDK, si përherë, me bashkëpunim dhe përgjegjësi, do të angazhohet të ruaj interesin e shtetit, të qytetarëve dhe perspektivën e saj evropiane.