Krasniqi për rezultatet në PISA: Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona, Kosova më keq se më 2014 e 2018
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit të PISA.
Krasniqi ka thënë se “analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona”, duke shtuar se Kosova është renditur më keq se në vitin 2014 e 2018.
Tutje, ai ka fajësuar qeverinë duke thënë nuk kanë qëllim që të bëjnë reforma në arsim.
“Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona - në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018.
Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!
Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA.
Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!
