Krasniqi: Moszbatimi i vendimit për manastirin e Deçanit, solli nenin 7 në planin e BE-së
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka treguar arsyet se pse është vendosur neni 7 në propozimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Krasniqi ka thënë se arsyeja kryesore e vendosjen se neni 7, ku thuhet se Kosova duhet të bëjë status special për Kishën Ortodokse Serbë në Kosovë, ka të bëjë pasi që Kosova nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastrini e Deçanit.
Ai ka treguar vizitën e presidentit aktual të Amerikës, Joe Biden, që sipas tij, pushtetarët në Kosovë nuk kanë ditur ta kuptojnë.
Shkrimi i tij i plotë:
Trazirat e marsit 2004, ku u dëmtuan disa kisha serbe, e sollën aneksin V- Trashëgimia fetare dhe kulturore- të Planit të Ahtisarit, i cili Kishën Ortodokse Serbe e shëndërroi në “shtet brenda shtetit.” Ndërsa, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e manastirit të Deçanit, përkundër insistimeve të SHBA e të BE-së, e solli nenin 7 të planit franko-gjerman, ku kërkohet që statusi i Kishës Serbe të fuqizohet edhe më shumë. Për ata që harrojnë lehtë ia vlen ta kujtojmë: presidenti aktual amerikan, Xhoe Bajden, e ka vizituar manastirin e Deçanit në vitin 2001 dhe në vitin 2009 dhe e ka quajtur “kryevepër.” Ka dhënë vlerësime të larta edhe për personelin e atyshëm. Në Senat e pati lavdëruar Ramush Haradinajn, të cilit me një letër konfidenciale i kishte kërkuar ta mbronte manastirin. Pra, me ç’duket, presidenti Bajden ka një lidhje emocionale me manastirin e Deçanit, e pakta që nga viti 2001. Autoritetet tona si duket nuk e kanë kuptuar domethënien e vlerësimit aq të lartë të presidentit amerikan për manastirin e Deçanit, i cili që nga viti 2005 është trashëgimi botërore e UNESKO-s. Vlerësimi i presidentit amerikan dhe statusi në UNESKO i manastirit të Deçanit, kanë vlerë më shumë se sa 24 hektarë tokë kontestuese. Ndër vite jam përpjekur të sqarojë me argumente se betejat më të rrezikshme të Serbisë për Kosovën janë religjioze e kulturore. Askush nuk ka marrë vesh. Tash e kemi faturën e rëndë në tavolinë. P.S. Ju po dini, ju grahni!
