Krasniqi: Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t'i japë prioritet integrimit tonë
Partia Demokratike e Kosovës, në bashkëpunim me “Institute of European Democrats” nga Brukseli, ka organizuar seminarin ndërkombëtar me temën “BE - Ballkani Perëndimor: Çka pas zgjedhjeve evropiane?”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në hapje të këtij seminari tha se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian e gjejnë veten në një moment kyç, kur vendimet e marra nga institucionet e BE-së si dhe nga qeveritë e rajonit, do të jenë vendimtare për drejtimin kah do të shkojë Ballkani Perëndimor për gjenerata me radhë.
“Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formësojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë.” – ka thënë Krasniqi, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Krasniqi u bëri thirrje institucioneve evropiane që t'i kushtojnë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton.
“Rajoni ynë ka pritur mjaft gjatë në margjinat e procesit të vendimmarrjes në Evropë. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t'i japë prioritet integrimit tonë, duke pranuar se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i Evropës është i pandashëm nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.” – ka shtuar ai.
Drejtori ekzekutiv i “Institute of European Democrats”, Mikel Burzako nga Spanja në fjalën e tij hyrëse, theksoi që zhvillimet dramatike në kontinentin e Evropës, si agresioni rus në Ukrainë, kanë treguar sa i rëndësishëm është integrimi i të gjitha vendeve evropiane në BE dhe sa e rrezikshme është vonesa e BE-së në afrimin e vendeve si shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të punojnë që të afrohen sa më shpejtë.