Kosova rrezikon rënien në Ligën D nëse nuk shënon fitore ndaj Qipros - NACIONALE

Kosova rrezikon rënien në Ligën D nëse nuk shënon fitore ndaj Qipros

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi pas ndeshjes kundër Irlandës Veriore tha se ndeshja në vijim, ajo ndaj Greqisë, do të jetë, siç potencoi ai, “jetë a vdekje”. Dhe, një gjë e tillë u konfirmua edhe zyrtarisht pas triumfit të qipriotëve kundër grekëve me rezultat 1:0.

Pasi Greqia ka siguruar plasmanin në Ligën B, që prej katër fitoreve rresht që i arriti në qershor, duke mposhtur Kosovën dy herë radhazi – sot shënoi humbjen e parë në grup 1:0 ndaj Qipros.

Kjo fitore ia ndërlikoi edhe më shumë punët Kosovës, meqë Qipro tashmë ka grumbulluar 5 pikë në grup. Me fjalë tjera, është barazuar me pikë me Irlandën Veriore dhe ka vetëm një pikë më pak se Kosova.

Kjo do të thotë që ndeshja Kosovë – Qipro që do të zhvillohet të martën do të jetë vendimtare për “dardanët”, pasi matematika lë të hapur mundësinë që ekipi kombëtar kosovar të bie në Ligën D, që do të ishte një kolaps gjigant dhe një hap mbrapa.

Nëse do të jetësohej skenari më i errët, fitorja e qipriotëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, atëherë Kosova do ta humbte pozitën e dytë. Pastaj, nëse Irlanda Veriore barazon në Athinë kundër Greqisë, do të bënte që Kosova të bie në vendin e katërt dhe rrjedhimisht edhe në Ligën D.

Kështu, Kosova do të hyjë me misionin e vetëm që t’i arkëtojë tre pikët kundër Qipros, për ta bërë të mundur që ta përfundojë të paktën si e dyta grupin, për të mbetur kështu në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Lajme të ngjashme