Kosova i bashkohet iniciativës globale për siguri dhe etikë kibernetike
Kosova i është bashkuar zyrtarisht Kodit të Praktikave për Shtetet, një kornizë ndërkombëtare që synon forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e teknologjive kibernetike. Ky zhvillim vjen në kuadër të Procesit Pall Mall – një nismë e përbashkët e Britanisë së Madhe dhe Francës – që po mbledh rreth vetes gjithnjë e më shumë shtete të përkushtuara ndaj standardeve të përgjegjshme digjitale.
Kryeministri Albin Kurti e bëri të ditur këtë hap përmes një komunikate në rrjetet sociale, duke theksuar se "Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut."