“Kosova është vend sovran”, kryediplomati shqiptar tregon nëse Kosova duhet të pranojë kushtin e ri për KiE
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, ka folur në lidhje me kushtin e ri për anëtarsimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Hasani ka thënë se Kosova është tashmë një shtet sovran, që mund të merr vendime kurajoze dhe të drejta.
Hasani ka shtuar se nuk beson që Kosova ka nevojë për një këshillë për rastin specifik, dhe sipas tij është një çështje vendimmarrja për të cilën i përket vetëm qeverisë së Kosovës.
“Kosova është tashmë një shtet i konsoliduar dhe i aftë të marrë vendime kurajoze dhe të drejta, i aftë të peshojë dhe vlerësojë rëndësinë dhe relevancën e hapave që ndërmerr. Nuk besoj se Kosova ka nevojë për një këshillë për rastin specifik, pasi kjo është një çështje vendimmarrja për të cilën i përket vetëm qeverisë së Kosovës. Unë mund të flas për Shqipërinë, e cila i ka ndjekur gjithmonë sugjerimet e rekomandimet e miqve të vet kur ka qenë e përfshirë në procese të ngjashme. E prandaj jemi sot aty ku jemi. Bashkëpunimi i ngushtë me miqtë më të afërt, ka sjellë gjithmonë sukses.” – ka thënë Hasani.