Konjufca flet për propozimin e ri të BE-së, thotë se parashihet njohja mes Kosovës dhe Serbisë - NACIONALE

Konjufca flet për propozimin e ri të BE-së, thotë se parashihet njohja mes Kosovës dhe Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në lidhje me propozimin e ri të Bashkimit Evropian për marrëveshje me Serbinë, i cili arriti para pak ditësh në zyrën e Kryeministrit.

Konjufca në një intervistë në “Debat Plus”, ka deklaruar se planit franko-gjerman iu ndryshua emri, duke u bërë “plani final”.

Ai ka zbuluar edhe një detaj tjetër, duke e përsëritur dy herë, se aty thuhet që “dy shtetet ia njohin pavarësinë njëra-tjetrës”, por se Serbia nuk i dërgon notë verbale Kosovës.

“Jo, jo, faktikisht Serbia më e nënshkru sovranitetin e Kosovës, atë quajeni si të doni, ajo njohja eksplicite është, por nuk ka njohje me notë verbale, mungon në atë dokument. Serbia nuk i dërgon Kosovës notë verbale që po e njeh, por së bashku me Evropën, e nënshkruajnë një marrëveshje, që Kosova me Serbinë ia njohin sovranitetin, pavarësinë, edhe pavarësinë thuhet dhe të drejtën për vetëvendosje, dhe shtetet funksionojnë mbi të drejta të barabarta.” – tha ai.

Konjufca ka thënë se “atij i duket që njohja është de facto në këtë propozim”, derisa foli edhe rreth disa detajeve të tjera.

“Këto katër koncepte, janë shumë të fuqishme. Tash mundesh me spekulu, qysh njohja tash. Njohja në këtë dokument është de facto, më duket ashtu, ky është thelbi. Të sigurohemi që Kosova me Serbinë e pranojnë njëra tjetrën si etintete të ndara, që nuk ndërhyjnë në punë të brendshme, që nuk e pengojnë procese të anëtarësimit dhe që kanë paktë në njëfarë mënyrë që e nënshkruajnë mos-sulmimin reciprok ushtarak.” – tha ai.

Vlen të theksohet se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, veç se janë ftuar për takim nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell. Megjithatë, data duket se nuk është caktuar ende.

“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i ka ftuar ata të vinë në Bruksel. Do të japim datën e saktë kur të jetë e caktuar”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme.

Lajme të ngjashme