Konjufca e quan "pseudogazetar" militantin e VV-së që ia përmendi termin "frizerkë", mundohet t'ia hedhë fajin atij
Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca ka reaguar pas publikimit të një video, ku ai dëgjohej duke ofenduar ish-presidenten Vjosa Osmani me një term të përdorur ndaj saj kryesisht nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një shkrim në Facebook, Konjufca ka thënë se pati vërejtje që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese, anise në video shihej e dëgjohej duke qeshur me të madhe.
Mes tjerash, militantin e Lëvizjes Vetëvendosje që ia bëri pyetjen, Valton Hasani, ai e ka cilësuar si “pseudogazetar”. I njëjti, i cili ndodhej në tavolinë me Konjufcën, ishte arrestuar për kërcënim ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi.
“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese.
Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë.
Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë”, ka shkruar ai.