Komuna e Malishevës: Ekskluzive, funksionalizuam aeroportin civil në Banjë
Komuna e Malishevës ka funksionalizuar sot aeroportin civil në fshatin Banjë.
Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të komunës në Facebook, fillimisht thuhet: “Ekskluzive: Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati zbarkon në aeroportin civil të Banjës”.
Tutje, bëhet me dije se sot në një ngjarje jo të zakonshme, është funksionalizuar aeroporti civil, ku uljen e parë e bëri kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.
“Në një prononcim për media, kryetari Kastrati, mes tjerash deklaroi.' 25 vjetori i çlirimit të Komunës së Malishevës dhe ditës së dëshmorëve, Malishevën dhe qytetarët e sajë po i gjenë me një zhvillim më të lartë ekonomik, me mirëqenie më të mirë familjare, me arsim e shëndetësi, sport e kulturë, me infrastrukturë të zhvilluar, por sot edhe me rifunksionalizimin e aeroportit civil në fshatin Banjë, që për ne dhe qytetarët, do të hapen mundësi të reja ekonomike si dhe të mësimit e aftësimit të kuadrove për pilot të rinj në mbarë Kosovën, të cilën do ta mundësoi shkolla e pilotëve dhe infrastruktura e kapaciteteve njerëzore që do të operacionalizohet shpejt, me këtë rifunksionalizim të aeroportit civil në Banjë'.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, shkruan se edhe pilotët patën emocione të veçanta:
“Edhe pilotët u shprehen me emocione të veçanta, se i veçantë ishte edhe zbarkimi i tyre i parë në tokën e Malishevës të çliruar e të lirë, ku ata dhanë mesazhin falenderues dhe bashkëpunues që po tregon kryetari Kastrati, e njëherit, kërkuan që edhe nivelet qëndrore të jenë më efikase për të investuar në fushën e aviacionit civil, pasi rëndësia e saj është jetike për shtetin tone”.