Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kërkon anëtarësim të Kosovës në nismën e ShBA-së “Karta e Adriatikut A5” - NACIONALE

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kërkon anëtarësim të Kosovës në nismën e ShBA-së “Karta e Adriatikut A5”

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në Konferencën e 28-të të nismës SHBA-Karta e Adriatikut A5, e cila u mbajt në Tiranë.

Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e Shefave të Mbrojtjes të vendeve fqinje dhe Agjutantëve të Përgjithshëm të Gardave Kombëtare që kanë partneritet me shtetet përkatëse të rajonit. Nisma u udhëhoq nga Komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), ndërsa u bashkëkryesua nga Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovinës.

Gjatë punimeve u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal për ballafaqim me sfidat e sigurisë, si dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit civilo-ushtarak në adresimin e sfidave shumëdimensionale të sigurisë.

Në fjalimin e tij, Gjenerallejtënant Jashari rikonfirmoi nevojën për anëtarësimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë, duke argumentuar se ky hap do të kontribuonte në rritjen e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Komandanti i FSK-së zhvilloi gjithashtu takime bilaterale me Gjeneral Alexus G. Grynkewich, Komandantin e EUCOM-it dhe SACEUR-it, si dhe me Gjenerallejtënant Arben Kingjin, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në përfundim të konferencës, të gjitha shtetet pjesëmarrëse ranë dakord që nisma të tilla luajnë rol të rëndësishëm në sigurinë rajonale dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme