Kolonët izraelitë i vënë flakën një fshati në Bregun Perëndimor, së paku një i vrarë
Dhjetëra ardhës izraelitë u kanë vënë flakën shtëpive e veturave në një fshat të Bregut të pushtuar Perëndimor. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën një person është vrarë.
Ardhësit – disa prej tyre me maska në fytyrë – hodhën gurë dhe koktejë molotovi gjatë sulmit të tyre në fshatin Jit, afër qytezës Nablus, të enjten në mbrëmje, tha ushtria izraelite.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një banor i fshatit në të njëzetat e hershme u vra dhe një tjetër u lëndua në masë kritike në gjoks. Ushtria izraelite tha se ishte duke e ekzaminuar raportimin për një të vdekur, raporton televizioni BBC.
Udhëheqësit politikë izraelitë e dënuan sulmin, duke u zotuar për ndëshkimin e autorëve. Ushtria izraelite tha se një shtetas izraelit u ndalua në fshatin Jit.
Në rrjete sociale kanë dalë pamje ku pretendohet se shfaqen shtëpi e automjete që u ishte vënë flaka në Jit të enjten vonë. Në video shihet tymi duke u ngritur në qiellin mbi këtë fshat.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha në një deklaratë se “ata që janë përgjegjës për çfarëdo akti kriminal, do të kapen dhe do të ndiqen penalisht”.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se forcat e saj ishin dislokuar në fshat “brenda minutave” pas pranimit të raportimeve për dhunë, duke shtënë në ajër për t’i shpërndarë turmat e njerëzve. Sulmuesit pastaj u larguan nga fshati Jit.
Ushtria shtoi se një hetim i përbashkët ishte nisur nga forcat e saj, agjencia e sigurisë “Shin Bet” dhe policia izraelite pas “incidentit serioz”./Nacionale