Kolonat e gjata të mërgimtarëve në Kroaci: Konjufca në stilin e Sveçlës, e thërret në telefon homologun kroat - NACIONALE

Kolonat e gjata të mërgimtarëve në Kroaci: Konjufca në stilin e Sveçlës, e thërret në telefon homologun kroat

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka biseduar sot në telefon me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, me të cilin ka biseduar për pritjet e gjata të mërgimtareve në pikat kufitare të Kroacisë.

Ai ka bërë me dije se homologut të tij ia ka shprehur shqetësimet për këto pritje.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kryediplomati kroat i ka premtuar se do ta shqyrtojë këtë çështje me autoritetet kompetente.

“Lidhur me pritjet e gjata me të cilat po përballen qytetarët tanë dhe bashkatdhetarët nga diaspora në pikat kufitare të Kroacisë, sot zhvillova një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Shpreha shqetësimin tim për vështirësitë që këto pritje po u shkaktojnë qytetarëve tanë në kulmin e sezonit veror. Ministri Grlić Radman më njoftoi se do ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente kroate, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e kohës së pritjes”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Fluksi i lartë i udhëtarëve po përkon edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe kontrolle më të rrepta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, pas krizës kufitare të ditëve të fundit në Spanjë. Këto masa kanë ndikuar në zgjatjen e procedurave të kontrollit në pikat kufitare. E falënderoj Ministrin Grlić Radman për mirëkuptimin, gatishmërinë dhe qasjen konstruktive ndaj kësaj çështjeje, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe miqësor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë në komunikim të ngushtë me autoritetet kroate, duke e ndjekur nga afër situatën dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.

Duket se Konjufca e ka kopjuar ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kur një numër i madh i mërgimtarëve ankoheshin për pritje të gjata në Kroaci, Sveçla ishte bërë sikur po angazhohet për eliminimin e këtyre pritjeve.

Ai kishte zhvilluar një bisedë me Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Davor Bozinovic, lidhur me pritjet dhe vonesat në pikat kufitare gjatë ardhjes së mërgatës në Kosovë.

Në profilin e tij në Facebook, Sveçla kishte shkruar se me homologun e tij kroat kanë diskutuar modalitetet për një kalim sa më të lehtë dhe më të shpejtë për qytetarët e Kosovës.

“Pas informatave të pranuara nga bashkatdhetarët tanë lidhur me pritjet në pikat kufitare gjatë ardhjes në Kosovë, zhvillova një bisedë me Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, z. Davor Božinović, mbi modalitetet për një kalim kufitar sa më të lehtë dhe më të shpejtë për qytetarët tanë. Ministri Božinović shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij që brenda rregullave të adresoj këtë kërkesë timen. Me këtë rast falënderoj Ministrin për vullnetin dhe gatishmërinë si dhe për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy ministrive tona. Mërgatës sonë i dëshiroj rrugë të mbarë e mirëardhshi në atdhe”, kishte shkruar Sveçla.

Lajme të ngjashme