Kiflet përmirësojnë arsimin: Politologu pretendon se pas kapjes së pushtetit, VV do ta kontrollojë krejt shoqërinë - NACIONALE

Kiflet përmirësojnë arsimin: Politologu pretendon se pas kapjes së pushtetit, VV do ta kontrollojë krejt shoqërinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politologu Shkodran Ramadani ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me grevën në arsim dhe përplasjet mes grevistëve dhe Qeverisë në mënyrë mjaft të ashpër.

Ai pretendon se Qeveria e Kosovës përmes demonizimit të kategorive shoqërore – përfshirë mësimdhënësit – po tregon përpjekjet e saj për ta vënë nën kontroll të plotë shoqërinë.

Ramadani ka sjellë në kujtesë kohën kur partia në pushtet në nivel lokal (Prishtinë) premtonte kiflet nëpër shkolla, si një mënyrë për të nxitur nxënësit që të mësonin më mirë.

Po ashtu, ai ka rikujtuar shoqërinë edhe për fjalët e Kurtit për lidhjen e politikave arsimore me tregun e punës. Edhe ky kishte qenë një premtim i kryeministrit Kurti, i përmendur madje edhe në rolin e kryeministrit në kohën e Qeverisë Kurti I.

“Sot, ndërkohë, pushteti ka marrë në shenjë mësimdhënësit, duke i goditur me arsenalin më destruktiv të linçimit e propagandës, duke njollosur dhe stigmatizuar një prej shtyllave kryesore të shoqërisë sonë.” – argumenton z. Ramadani.

Kujtojmë se eksponentë të partisë në pushtet - përfshirë edhe vetë kryeministrin Albin Kurti - kanë bërë me faj mësimdhënësit për gjendjen e arsimit në Kosovë.

Statusi i plotë:

A e mbani në mend kur para pak viteve mungesa e kifleve në shkolla ishte bërë arsyeja kryesore pse nxënësit nuk mund të mësonin mirë? Kur mendonin se me vetëm 10 centë mund ta zgjidhin problemin e arsimit?

Pra nuk ishte problemi tek mësimdhënësit, por tek mungesa e kifleve, e cila përveç që këndellte mendjen e nxënësit, siguronte edhe barazi në shkolla.

A e mbani në mend kur arsyeja e papunësisë ishte mungesa e koordinimit të politikave arsimore me tregun e punës?

Kur thonin “mësimdhënësit janë të mirë, por nxënësit nuk po kanë motiv të mësojnë sepse arsimi nuk është i lidhur mirë me ekonominë”?

Sot, ndërkohë, pushteti ka marrë në shenjë mësimdhënësit, duke i goditur me arsenalin më destruktiv të linçimit e propagandës, duke njollosur dhe stigmatizuar një prej shtyllave kryesore të shoqërisë sonë.

Mirëpo, e gjithë kjo kryqëzatë sot kundër mësimdhënësve nuk tregon asgjë për mësimdhënësit.

Tregon vetëm mashtrimin e këtyre qeveritarëve të pacipë, të padijshëm e të ligë, që për të mbuluar gënjeshtrat e dështimet e veta, janë në gjendje të demonizojnë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, mjekët, veteranët dhe të gjithë ata që nuk pranojnë të nënshtrohen ndaj përpjekjeve të tyre për të ushtruar kontroll të plotë mbi shoqërinë.

Lajme të ngjashme