KFOR publikon pamje të ushtarëve duke patrulluar në kufirin me Serbinë
Ushtarët amerikanë të angazhuar në Komandën Rajonale Lindje (RC-E) të KFOR-it po vazhdojnë patrullimet e rregullta përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë, brenda zonës së përgjegjësisë së kësaj komande.
KFOR-i bëri të ditur se këto patrullime zhvillohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e ndërgjegjësimit rrethanor, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme në terren.
“Aktivitete të tilla pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe transparente”, u tha në njoftimin.