"Këta njerëz s'janë në terezi": Ish kryeministri Hoti gjen një 'anomali të çuditshme' për një urë të planifikuar nga pushteti
Ish kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook me një gjuhë më të ashpër e më të pazakontë se rëndom.
Hoti ka paraqitur atë që pretendon të jetë një anomali e çuditshme në planifikimin buxhetor për vitin 2023.
“Këta njerëz nuk janë në terezi,” – përfundon z. Hoti, para se të tregojë se si ishte planifikuar buxheti për një urë që lidh shumë fshatra të Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë.
Ai thotë se “400 mijë euro ishin planifikuar të ndaheshin në vitin 2023, 600 mijë në vitin 2024 dhe 500 mijë në vitin 2025”.
“Çuditesh me anomali të planifikimit buxhetor për 2023.” – thotë z. Hoti.
Ai ka shtuar se e kishte paraqitur në dhjetorin e vitit të kaluar si çështje urgjente, ndërsa me ritmin aktual “ndoshta ndërtohet në vitin 2026.”
Statusi i plotë:
Çuditesh me anomali të planifikimit buxhetor për 2023.
Ura mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit ka gati dy vjet që është e papërdorshme nga vërshimet e janarit 2021. Ajo urë i lidh shumë fshatra të Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë. Komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës ka vlerësuar se ura është dëmtuar dhe është në rrezik të shembet.
Asnjë intervenim nuk është bërë për dy vite, edhe pse unë e kam ngritur si çështje urgjente edhe në dhjetor të vitit të kaluar, kur është miratuar buxheti i vitit 2022.
Shihni anomalitë e planifikimit buxhetor: planifikojnë 400 mijë euro për këtë urë për vitin 2023, 600 mijë për vitin 2024 dhe 500 mijë për vitin 2025.
Me këtë ritëm, ndoshta kjo urë ndërtohet në vitin 2026. Këta njerëz nuk janë në terezi.