Këta janë dy drejtorët që po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Deçan
Prokuroria e Pejës ka njoftuar për një aktkauzë që është ngritur ndaj dy drejtorëve në komunën e Deçanit, dhe një zyrtari tjetër po në këtë komunë.
Ata po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me disa ndërtime
Drejtori për Urbanizëm që po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare është Ramë Melaj.
“I pandehuri, R.M., në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtje të Mjedisit në komunën e Deçanit, në katër raste të ndara, duke tejkaluar kompetencat e tij sipas detyrës zyrtare, ka lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjet përkatëse, që sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E drejtori për Inspeksion që gjithashtu po akuzohet në këtë rast, është Halil Tolaj.
“Ndërsa, të pandehurit, H.T. në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në komunën e Deçanit dhe i pandehuri, J.H, si person zyrtar në pozitën e shefit të sektorit për inspektim në këtë komunën, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, duke lejuar mbindërtimin e tri kateve të një objekti, me ç’rast kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar””, specifikohet më tej.
Dy të akuzuarit ishin arrestuar në vitin 2021 nga Prokuroria në Pejë.