Kështu duket 'qortimi' i Qeverisë Kurti për serbët që nuk i ndërrojnë tabelat
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikate për medie lidhur me atë se si do të duket ‘fletë qortimi’, për qytetarët të cilët ende vozisin automjetet e tyre me targat ilegale serbe, e jo me ato RKS.
Sipas këtij njoftimi, zbatimi i këtij vendimi do të fillojë më datën 1 nëntor 2022.
“Sipas vendimit zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS’’, thuhet në njoftim.
Mirëpo, ky ‘fletë qortim’, do të vlejë vetëm deri më datën 21 nëntor 2022, pasi që pas kësaj date do të fillohet më shqiptimin e gjobave deri më 21 janar 2023, e cila është dita e fundit ku qytetarët do të duhej të regjistrojnë automjetet me targa RKS.
“Ndërsa nga data njëzet e një (21) nëntor deri me datë njëzet e një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi’’, thuhet tutje në këtë njoftim.
Kujtojmë se data e fundit për regjistrimin e automjeteve nga targat e vjetra serbe në ato RKS, ishte data 30 tetor 2022, mirëpo pas presionit nga ndërkombëtaret, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të shtyje afatin për regjistrim deri më 21 janar 2023.

