Këshilltari i Kurtit sulmon opozitën për Asociacionin: Aleatët në Kosovë gjejnë kompromise e koncesione ndaj Serbisë - NACIONALE

Këshilltari i Kurtit sulmon opozitën për Asociacionin: Aleatët në Kosovë gjejnë kompromise e koncesione ndaj Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Jeton Zulfaj këshilltar politik i kryeministrit, Albin Kurti, ka kritikuar opozitën për Asociacionin duke thënë se ndërkombëtarët tek ta po shohin potencial për konpromise dhe lëshime ndaj Serbisë.

Zulfaj në Facebook, ka thënë se në Kosovë po bëhet më shumë presion për themelimin e Asociacionit se në Serbi për ta njohur Kosovën

Ai ka përsëritur qëndrimin e shefit të tij se Kushtetuta në Kosovë nuk lejon Asociacionin.

Rrjedhimisht kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë asnjë institucion shqiptar e nuk mund ta parashoh e pranojë asnjë institucion serb, rom, boshnjak, turk, goran, ashkali, egjiptian.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i tij i plotë:

Pse ka më shumë presion në Kosovë për Asociacionin se sa në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës?

Në vigjilje të ditëlindjes së 15-të të shtetit tonë, është mirë të pauzojmë për një moment dhe të reflektojmë se përse gjendemi në një moment kaq delikat të presionit nga miqtë e aleatët tanë për të themeluar një asociacion një etnik.

Në Kosovën e mbi 93% me shqiptarë nuk ekziston asnjë institucion e agjenci qeveritare shqiptare sepse Kosova u shpall shoqëri multi-etnike.

Rrjedhimisht kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë asnjë institucion shqiptar e nuk mund ta parashoh e pranojë asnjë institucion serb, rom, boshnjak, turk, goran, ashkali, egjiptian.

Është ligj i natyrës që një objekt gjatë udhëtimit të tij nga destinacioni A në destinacion B, ndjekë rrugën e rezistencës më të vogël (least resistance path).

Sa ishin në qeveri opozita e tanishme, rezistenca më e madhe ndaj Asociacionit një-etnik ishte në opozitë e demonstruar më së miri në demonstratën gjithë popullore të thirrur nga Vetëvendosje! “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

Tash që janë në opozitë, rezistenca më e madhe ndaj Asociacionit mbetet qeveria.

Rrjedhimisht, kur partnerët e miqtë tanë shkojnë në Serbi edhe flasin për Kosovën, Vuçiç ju duket me i hapuri, duke qenë radikali më i butë në mesin e ultra radikalëve.

Kur vijnë në Kosovë edhe flasin për Serbinë, në qeveri e tek Kryeministri gjejnë pozicionin më të prerë ndaj Serbisë e kundër asociacionit një-etnik.

Këtu edhe gjejmë shpjegimin e qasjes amerikane e evropiane.

Në Kosovë shohin potencial për kompromise e koncesione ndaj Serbisë më shumë jashtë qeverisë se sa në Serbi.

Prandaj edhe i bëjnë presion më shumë Kosovës se sa Serbisë.

Vuçiqi po e gënjen perëndimin që mund të shkëputet nga Kremlini. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, pse Kosova duhet të paguajë çmim?

Shkëputja e Serbisë nga Kremlini (shumë e dyshimtë, gjithsesi) është e mirë për vetë Serbinë, s’ka pse paguajmë ne për këtë.

Lajme të ngjashme